Të hënën në Speciale dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes, Bajraktari: Fjala e tyre do të ketë peshë

Të hënën në Gjykatën Speciale do të nisë dëshmia e dëshmitarëve të propozuar nga pala mbrojtës, ku në mesin e tyre pritet të jenë diplomat të ndryshëm, të cilët kanë bashkëpunuar me Thaçin e të tjerët dhe zhvilluar negociata gjatë luftës në Kosovë , por edhe pas saj.

Ky numër i dëshmitarëve pritet të jetë rreth 20.

Avokati, Ardian Bajraktari ka vlerësuar se dëshmia e tyre do të ketë peshë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai në një prononcim për Tëvë1 të dhënë në Hagë ku sot u mbajt një protestë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ka vlerësuar se dëshmia e këtyre figurave do ta rikonstatojë luftën e pastër të UÇK-së.

“Janë të besueshëm do të dëshmojnë angazhimin, koordinimin e z. Thaçi dhe të tjerëve, Kur po flasim për z.Thaçi, po flasim për kupolën e UÇK-së, po flasim për angazhimin e sferës politike e cila natyrisht që është ajo që e ka bërë diferencën në shumë organizime paraprake të popullit tonë për liri, prandaj lufta jonë nuk ka qenë e vetme, e kemi organizuar me aleatët. Në këtë drejtim besoj që pesha e deklarimeve të tyre do jetë shumë e rëndësishme në rikonstatimin e së vërtetës, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ajo që pretendon prokuroria. UÇK ka bërë luftë të pastër, të drejtë, të pastër, çlirimtare dhe ka qenë aleanca e NATO- s”, ka thënë Bajraktari.

Ai ka thënë se procesi i dëshmive mund të përfundojë në fund të tetorit apo fillim të nëntorit, ndërsa që vendimi i shkallës së parë mund të merret gjatë janarit të vitit 2026.