Të gjithë në pritje të Kushtetueses, formimi i qeverisë mund të zvarritet edhe më tej

Kur kanë mbetur jo më shumë se dy ditë kohë për formimin qeverisë së re nga Albin Kurti, ende vendi është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Listës Serbe. Ende nuk dihet nëse zgjedhja e Nenad Rasic do të shpallet në harmoni me Kushtetutën apo jo, gjë që mund ta vazhdojë edhe më tej zvarritjen e institucioneve.

Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për RTV21 tha se ankesa e Listës Serbe, rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe kërkesa e saj për caktimit të masës së përkohshme është në shqyrtim e sipër por nuk bëri të ditur se kur do të merret vendimi.

“Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”

Profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se gjykata duhet ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe. Sipas tij, nëse kjo nuk ndodh atëherë duhet të ketë një masë të përkohshme që pezullon afatin për formimin e qeverisë së re, në të kundërtën, siç thekson, kriza mund të thellohet.

“Gjykata do te duhej ta shpallte te papranueshme kërkesën e listës serbe…për aq sa vendos mase se përkohshme duhet thotë që pezullohen gjitha veprimet e kuvendit dhe mandatarit për qeverinë. Është puna e gjykatës ta llogarisë këtë ..nëse lejon që rë rrjedh afati atëherë është pakthyeshme ne qoftë formohet qeveria gjykata mund ta shpallë edhe atë të pakonstituar në baza kushtetuese por ajo është shumë e thellë mandej dhe është intereferim ne shtyllën legjislative duke prekur edhe ekzekutivin. Mund të shkohet thellë në krizë mund të vazhdojë thellë kriza dhe kjo nuk do duhej të ndodhte prandaj me mira do duhej të ishte që ta shpalle kërkesën e papranueshme nëse jo mund të ndodh të caktojë masë të përkohshme por që duhet të jetë shkurtër”.

Në Institutin e Kosovës për drejtësi ndërkaq përmendin disa opsione të mundshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të cilat do të mund të ndikonin ose jo në formimin e Qeverisë.

“Kjo është situatë që nuk ka ndodhur me herët dhe është në dorë të gjykatës nëse vendosë masë të përkohshme ose jo masa përkohshme mund të merret dhe të pezullohen afatet…ndërsa nëse votohet dhe procesohet tutje me Qeverinë dhe nëse hipotetikisht pranon ankesën e Listës serbe atëherë hymë në situatë të re qe patjetër do duhej kohë dhe do ishte problematike për ta përmirësuar. Por është edhe ana tjetër kur gjykata mund ta konsiderojë se nënkryetari është zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe të procedohet normalisht por s’mund të parashikojmë asgjë”, tha  Melos Kolshi nga IKD.

26 tetori është afati i fundit kur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti si mandatar për formimin e qeverisë së re duhet t’i paraqes kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim.