Të enjten, deputetët e zgjedhur sërish do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës në përpjekje për ta konstituuar atë.
Seanca e nesërme do të regjistrohet si e 23-ta me radhë në të cilë do të tentohet funksionalizimi i parlamentit.
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të insistojë me kandidaten e njëjtë për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiun.
Në seancat që po zgjasin pak minuta e po shtohen në numër, është duke u hedhur në votim komisioni rreth votimit të fshehtë për zgjedhjen e shefit të deputetëve.
Pas dështimit të seancës së 22-të, të mbajtur dje, ka nisur edhe intensifikimi i thirrjeve të ndërkombëtarëve për krijimin sa më të shpejt të institucioneve.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se për Bashkimin Evropian është thelbësore të ketë një partner me të cilin mund të bisedohet për hapat konkretë drejt integrimit.
Ai theksoi nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.
“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – Presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Orav.
Një thirrje të tillë e pati gjatë ditës së sotme edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai tha se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin.
Rohde deklaroi se situata me Kuvend është kthyer në një bllokadë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë, transmeton Klankosova.tv.
Ai tha për KP se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të bësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen”, tha Rohde.