49 tabela me përshkrimin e 49 masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovës më 1998-1999 janë vendosur në sheshin e Prishtinës që nga 24 marsi në përvjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s. Ato janë renditur kronologjikisht, duke filluar nga masakra në Likoshan e Qirez e 28 shkurtit 1998, deri te masakra në familjen Bala më 12 qershor 1999.
Në mesin e 49 masakrave është edhe ajo e në Burgun e Dubravës, por në tabelën kushtuar kësaj masakre janë bërë gabime në përshkrim.
Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka shkruar se të dhënat e paraqitura për këtë masakër “janë krejtësisht të pasakta”, duke nisur nga numri i viktimave deri te cilësimi si “persona të armatosur shqiptarë” në mesin e të vrarëve në burg më 1999.
“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka sqaruar Dugolli.
Dugolli u ka bërë thirrje organizatorëve të ekspozitës që ta tërheqin materialin dhe ta korrigjojnë. Po ashtu ka ftuar Prokurorinë, përkatësisht Departamentin për krime lufte, që të përfshihet në këtë çështje dhe ta hetojë.
“Një material i tillë, në formën aktuale, nuk i shërben të vërtetës; përkundrazi, mund të përdoret për të përforcuar narrativën e rreme të Serbisë për gjoja rebelimin e të burgosurve shqiptarë gjatë kohës kur është kryer kjo masakër”.
Kjo ekspozitë është realizuar në mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.










