Të dënuarit nga Gjykata Speciale do ta vuajnë dënimin në Belgjikë

Më 12 qershor 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për zbatimin e dënimeve, duke mundësuar që personat e dënuar nga DHSK-ja të mund ta vuajnë dënimin në burgjet belge.

Marrëveshja u nënshkrua në Bruksel nga administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon dhe z. Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës.

Kjo marrëveshje parasheh që zbatimi i dënimeve do të bëhet në përputhje me kushtet e përcaktuara nga DHSK-ja dhe me miratimin e Belgjikës.

Kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova, ka vlerësuar lart këtë hap, duke theksuar rëndësinë e tij për funksionimin e drejtësisë ndërkombëtare.

“Zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Belgjika riafirmon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e vazhdueshme për DHSK-në”, tha Trendafilova.

Ajo gjithashtu ftoi edhe shtetet e tjera që të ndjekin shembullin e Belgjikës dhe të kontribuojnë në fuqizimin e mandatit të DHSK-së përmes marrëveshjeve të ngjashme.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Belgjikës, z.Div, tha se kjo marrëveshje dëshmon përkushtimin e palëkundur të vendit të tij ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit me DHSK-në.

“Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e saj të fortë për funksionimin e plotë të DHSK-së, në përputhje me marrëveshjen midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, deklaroi ai.

Në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet BE-së dhe Presidentes së Kosovës, si dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë të dhëna nga DHSK-ja kryhen jashtë territorit të Kosovës.

The post Të dënuarit nga Gjykata Speciale do ta vuajnë dënimin në Belgjikë appeared first on Kosovapost.net.