Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.
Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka qenë aktiv në frontin e luftës në Kosovë.
Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.
Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.
Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.
“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.










