Pas një merkatoje të pasur në largime, sulmi i Milanit është bërë sektori më i brishtë i skuadrës. Drejtori sportiv Igli Tare ka përshkruar së fundmi me qartësi profilin e sulmuesit që klubi kuqezi ka në fokus “Gimenez pëlqen të dalë nga zona, ndaj jemi në kërkim të një ‘nëntëshi’ të vërtetë, një qendërsulmues klasik si Zhiru”.
Aktualisht, në dispozicion të trajnerit Masimiliano Alegri janë vetëm Santiago Gimenez dhe Lorenco Kolombo, ky i fundit gjithashtu pranë një largimi. Emrat që tashmë kanë mbyllur kapitullin e tyre me Milanin janë të shumtë, Morata, Abraham, Zhoao Feliks, Joviç dhe Kamarda. Një situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
GYOKERES- Viktor Gyokeres, sulmuesi suedez i Sporting Lisbonës, është emri më i përfolur. Me një bilanc mbresëlënës prej 97 golash në 102 ndeshje në dy sezone, ai përfaqëson një zgjidhje ideale në aspektin teknik dhe statistikor. Por pengesat janë të mëdha. Kostoja e kartonit kap 70 milionë euro. Arsenali, rival i fortë në garë, raportohet se ka arritur marrëveshje pesëvjeçare me lojtarin, sipas mediave britanike. Një investim i tillë për Milanin, që operon me buxhete më të kontrolluara këtë verë, duket gjithnjë e më pak i realizueshëm.
RETEGI- Një tjetër pistë është ajo e Mateo Retegit, aktualisht pjesë e Atalantës dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit italian me 25 gola. I blerë një vit më parë nga Xhenoa për 22 milionë euro plus bonuse, vlera e tij në merkato ka pësuar rritje të ndjeshme. Atalanta e vlerëson Retegin të paktën 40 milionë euro, dhe tekniku i ri Ivan Juriç nuk dëshiron të humbasë një nga armët kryesore të ofensivës. Shtuar kësaj, edhe klubet jashtë Italisë janë futur në garë, klubi saudit Al-Kadsiah është gati të ofrojë deri në 60 milionë euro me bonuse për sulmuesin italian, pas refuzimeve që kanë marrë nga Dybala, Ken dhe Orsolini.