Taksisti ‘Prishtinë-Gjilan’ ndalohet për prostitucion, transportonte dy vajza për shërbime seksuale në këmbim të 520 eurove

Një person me inicialet M.M është ndaluar për 48 orë si i dyshuar për prostitucion.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i njëjti duke ushtruar profesionin e taksistit, dyshohet se ua ka mundësuar dy vajzave të moshave të ndryshme që të merren me prostitucion.

Ai dyshohet se i ka sjellë dy vajzat të moshës 22 dhe 23 vjecare nga Prishtina në Gjilan dhe të njëjtave u ka aranzhuar takime me persona të ndryshëm për shërbime seksuale në këmbim të shumës prej 520 euro.

Me urdhër të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Ndalohet një person për mundësim apo detyrim në prostitucion

Gjilan, 27 mars 2025 – Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore, përmes zbatimit të masave të fshehta ka ndaluar të dyshuarin M.M., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Mundësimi apo detyrimi në prostitucion’’, nga neni 234 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi se i dyshuari M.M., me qëllim të përfitimit material, duke ushtruar profesionin e taksistit, iu ka mundësuar vajzave të moshave të ndryshme që të merren me prostitucion, duke iu aranzhuar takime me persona të ndryshëm për shërbime seksuale, në këmbim të të hollave, ashtu që nga Prishtina i sjellë në Gjilan dy vajza të moshës 22 dhe 23 vjeç, ku për shërbimet seksuale për të njëjtat i merr të hollat në shumë prej 520 euro, në bazë të masës së fshehtë të simulimit të rastit.

Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën e sipërshënuar penale për të cilën me urdhër të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.