Takimi me Sorensen, Osmani kërkon dialog të drejtë e të paanshëm – flasin edhe për ngërçin e arrestimet nga Serbia

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Osmani gjatë takimit ka kërkuar heqjen e masave, teksa kanë folur edhe për konstituimin e Kuvendit, si dhe arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia.

“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sa i përket dialogut, Osmani ka kërkuar process të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.

“Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”.

Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, e që sipas saj duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian.

“Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme”.

Pas Osmanit, Sorensen ka nisur takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.