Kryetari i Kuvendit në detyrë, Glauk Konjufca sot do të mbaj takim të përbashkët me partitë politike ku do të diskutohet për seancën konstitutive të Kuvendit.
Ky takim do të mbahet në orën 12:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Ndonëse ishte paraparë që takimi të mbahet me kryetarët e partive, të njëjtit nuk do të jenë prezent.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka i ka thënë Telegrafit se në takim do të marrë pjesë dikush nga partia, pasi që kryetari Albin Kurti ndodhet jashtë vendit.
Manxhuka nuk ka treguar se kush do të jetë në takim në vend të Kurtit.
Edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka konfirmuar se në takim nuk do të jetë kryetari Ramush Haradinaj.
“Në takim do të marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj”, ka thënë Xhemaili për Telegrafin.
Telegrafi ka pyetur edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se kush do të marrë pjesë në këtë takim, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Ndërkaq sipas burimeve tona në takim përveç Muharrem Nitaj, do të jenë edhe Albulena Haxhiu nga LVV, Doarsa Kica-Xhelili nga LDK dhe Uran Ismaili nga PDK.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
Përgatitjet për seancën e parë të Kuvendit, Konjufca pret në takim përfaqësuesit e partive