Takimi i presidentes me liderët: “Opozita” kërkon zgjedhje të reja, Kurti do kohë shtesë për formimin e qeverisë

Ka përfunduar takimi i liderëve të partive politike me presidenten Vjosa Osmani.

Pas takimit, liderët e “opozitës” kanë bërë me dije se u bë e qartë se në këtë legjislaturë askush nuk mund të formojë shumicën parlamentare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se katër kryetarët e partive shqiptare dhe disa të minoriteteve kanë treguar se nuk janë pjesë e asnjë shumice.

Ai ka thënë se kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme për presidenten Osmani për t`i shpallur zgjedhjet e reja.

“Nga ky takim u bë e qartë se askush nuk mundet me e kriju shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale. Se parku 52 deputetë të përfaqësuar nga katër kryetarë të partive shqiptare dhe disa nga parti minoritare edhe në takim e kanë bërë të qarët se nuk janë pjesë e asnjë shumice, gjë që matematikisht e bënë të pamundur arritjen e shumicës se re parlamentare. Besoj se kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që sot edhe presidentja e vendit të vinte në një konkuldim të tillë dhe pastaj të vepron në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, të cilët tashmë janë të imponuar”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takim me presidenten u pa që nuk ka shumicë parlamentare.

Ai ka thënë se tani i takon presidentes që të caktojë datën për zgjedhjet e reja.

“Në këtë takim u bë e qartë edhe një herë nga përfaqësuesit e partive politike që nuk ka shumicë parlamentare, rrjedhimisht tani i takon presidentes deri te marruken, me datë 5, të përcaktoj se a ka shumicë a po nuk ka shumicë”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

“Në takimin e sotëm Presidentja kërkoi nga ne që të sqarojmë se a e kemi shumicën parlamentare për qeveri dhe kërkoi nga ne edhe mundësinë që të gjinden zgjidhje të përkohshme për çështjen e buxhetit dhe çështjen e panit të rritjes me BE-në. Besoj që në realitetin tonë, po ndodh ajo që tashmë jemi bë gati për të pra po ndodhin zgjedhje parlamentare”, ka thënë Haradinaj.

Çka kërkoi Kurti?

I vetmi lider që nuk ka folur pas takimit me presidenten Vjosa Osmani është Albin Kurti.

Megjithatë, qëndrimin i tij në takim është treguar nga liderët e tjerë që kanë qenë në takim.

Liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë treguar se Albin Kurti ka kërkuar afat shtesë nga presidentja për formimin e qeverisë së re.

I pari i PDK-së ka thënë se Kurti e ka marrë fjalën nga gjysma e takimit, duke kërkuar kohë shtesë.

“E murr fjalën diku ka gjysa e takimit, por nuk është që tha diçka konkrete. Përveç që tha të shoh pak, a kam mundësi a nuk kam mundësi, duke lënë me nënkuptu që dëshironte me i pas edhe disa ditë për me e zgjat këtë agonin që na e ka futur prej fillimit të këtij viti”, ka thënë Krasniqi.

Të njëjten gjë e ka konfirmuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Deputeti Albin Kurti kërkoi edhe disa ditë që nuk ishte serioz e kjo kërkesë, megjithatë Presidentja ka afat deri më 5 nëntor dhe deri atëherë do ta marrim edhe lajmin që do të shpërbëhet Parlamenti e pastaj edhe caktimi i datës së zgjedhjeve që do të ishte në interes të Kosovës të caktohet sa më shpejt, data 7 dhjetor do të ishte opsion me ia kursy Kosovës kohën”, ka thënë Haradinaj./Nacionale