Takimi i së dielës mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, perceptohet gjerësisht si një moment kyç, jo domosdoshmërisht për t’i dhënë fund menjëherë luftës, por për të përcaktuar drejtimin e fazës së ardhshme të konfliktit dhe mënyrën se si Perëndimi, veçanërisht Uashingtoni, do ta menaxhojë atë.
Për Shtetet e Bashkuara, objektivi kryesor nuk është arritja e një “marrëveshjeje paqeje” në kuptimin klasik, por kontrolli dhe menaxhimi i konfliktit me një kosto më të ulët politike dhe financiare. Donald Trump ka sinjalizuar qartë se nuk dëshiron një luftë të gjatë dhe të hapur në Evropë. Në këtë kuadër, takimi i së dielës shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë, përmes së cilës SHBA synon: krijimin e një kornize për armëpushim, edhe nëse është i përkohshëm, vendosjen e një mekanizmi garancish sigurie për Ukrainën, pa e përfshirë atë menjëherë në NATO, dhe zhvendosjen e një pjese të barrës financiare dhe politike drejt Bashkimit Evropian. E gjitha kjo nuk bën fjalë për një tërheqje amerikane nga Ukraina, por për një rishpërndarje më të balancuar të rrezikut dhe përgjegjësisë.
Në një intervistë për Politico, Trump deklaroi se, pavarësisht propozimeve të Presidentit ukrainas për fundin e luftës, të cilat do t’i dëgjojë të dielën, do të jetë ai që do ta thotë fjalën e fundit për përfundimin e konfliktit me Rusinë.
Zelensky hyn në këtë takim nga një pozicion dukshëm më i ndërlikuar. Ushtarakisht, Ukraina vazhdon të rezistojë, por pa arritur të ndryshojë në mënyrë vendimtare balancën në terren. Shoqëria ukrainase mbetet funksionale dhe relativisht e qëndrueshme, por e lodhur nga një luftë e zgjatur. Në planin diplomatik, Kievi është i vetëdijshëm se mbështetja perëndimore nuk është e pakufizuar. Në takimin e Mar-a-Lagos, strategjia ukrainase mbështetet në tri shtylla kryesore: refuzimi i çdo lëshimi formal territorial, kërkesa për garanci sigurie të certifikuara nga Perëndimi dhe, për herë të parë kaq hapur, gatishmëria për të shqyrtuar mundësinë e një referendumi, nën kushte të përcaktuara.
Referendumi shihet jo si tërheqje politike, por si një instrument për ta zhvendosur barrën e vendimmarrjes nga udhëheqja politike te shoqëria.
Në takim pritet të diskutohet një kornizë e re me 20 pika, e hartuar nga SHBA dhe Ukraina pa përfshirjen e Rusisë. Kjo kornizë nuk përbën një marrëveshje përfundimtare, por një strukturë negociuese që përfshin: një armëpushim të përkohshëm prej të paktën 60 ditësh, një mekanizëm monitorimi, garanci për mospërsëritjen e veprimeve agresive, marrëveshje të posaçme për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë centralin bërthamor të Zaporizhias, dhe një plan për nisjen e bisedimeve politike.
Qëllimisht mungon një zgjidhje për territoret e pushtuara — një çështje që po shtyhet për një fazë të mëvonshme, kur ekuilibrat në terren të jenë më të qartë.
Edhe pse Moska nuk merr pjesë në takim, ajo ndikon drejtpërdrejt në përmbajtjen dhe logjikën e tij përmes presionit ushtarak dhe mesazhit të vazhdueshëm politik se territoret e kontrolluara me forcë i përkasin Rusisë. Kremlini nuk ka interes të pranojë një ngrirje të konfliktit pa përfitime politike konkrete. Megjithatë, një armëpushim i përkohshëm mund t’i shërbejë për riorganizimin e forcave, konsolidimin e territorit të kontrolluar dhe zhvendosjen e presionit nga fusha ushtarake drejt diplomacisë.
Bashkimi Evropian mbetet një nga mbështetësit financiarë kryesorë të Ukrainës, por jo aktori që përcakton drejtimin strategjik të konfliktit. Në fazën e re, pritet që BE të marrë pjesë në garancitë e sigurisë, të financojë fazën e ardhshme të konfliktit dhe të përballojë pasojat politike, të gjitha këto pa pasur kontroll të plotë mbi procesin vendimmarrës. Pas gati katër vitesh lufte, vija e frontit ka ndryshuar pak në aspektin strategjik; humbjet nga të dyja palët llogariten në qindra mijëra, ndërsa kostoja ekonomike për Perëndimin ka kaluar 200 miliardë dollarë.
Historikisht, konflikte të tilla rrallë përfundojnë me fitore të qarta. Ato mbyllen zakonisht përmes lodhjes, kompromisit dhe negociatave. Ukraina duket se po hyn pikërisht në këtë fazë. Tri janë skenarët që mund të ndodhin pas takimit të Trump, Zelenskyt dhe evropianëve në Mar-a-Lago. Skenari i parë është ai i arritjes së një dakordësie për një armëpushim të kontrolluar; ky skenar sjell një armëpushim të përkohshëm me ngrirjen e konfliktit përkohësisht, ndërsa negociatat vijojnë.
Skenari i dytë është ai i bllokimit diplomatik dhe vazhdimit të luftimeve, dhe skenari i tretë është dështimi i bisedimeve sa i përket garancive të sigurisë dhe çështjeve territoriale, skenar ky i cili do të intensifikonte luftën nga ana e Rusisë. Në çdo skenar, analistët ushtarakë thonë se takimi i së dielës në Mar-a-Lago pritet të sjellë vetëm një riorientim strategjik të konfliktit dhe jo paqe të menjëhershme.
Lufta në Ukrainë po kalon nga faza e iniciativës ushtarake në atë të menaxhimit politik, një periudhë më e errët, më e gjatë dhe më komplekse. Tashmë pyetja kryesore nuk mbetet nëse do të ketë marrëveshje, por se cila palë do të jetë e gatshme të zgjasë më shumë me mbajtjen e kërkesave të tyre maksimaliste, duke vijuar një luftë e cila kostot i ka tejet të larta.













