Tajvani: investimi i kompanisë “TMSC” në SHBA, “moment historik” në marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti i Tajvanit Lai Ching-te përshëndeti një investim të planifikuar prej 100 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara nga Korporata tajvaneze e Prodhimit të Mikroprocesorëve, “TSMC”, duke e quajtur “një moment historik për marrëdhëniet SHBA-Tajvan”. Ai shtoi se investimi nuk ishte rezultat i trysnisë nga qeveria amerikane.

Presidenti dhe kryetari i kompanisë “TSMC”, C.C. Wei foli me gazetarët në zyrën e Presidentit të Tajvanit në Taipei të enjten pasdite. Zoti Wei tha se zgjerimi i fundit i prodhuesit tajvanez të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara u nxit nga kërkesat e mëdha të klientëve, duke shtuar se linjat e saj të prodhimit atje tashmë janë “të rezervuara plotësisht” për tre vitet e ardhshme.

“Ndërtimi i linjave të reja të prodhimit jashtë Tajvanit nga kompania “TSMC” është gjithmonë i nxitur nga kërkesat e klientëve”, tha ai.

Investimi prej 100 miliardë dollarësh, i cili është i ndarë nga një investim tjetër prej 65 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara, që kompania “TSMC” e njoftoi prillin e kaluar, parashikon ndërtimin e tre fabrikave të reja të mikroprocesorëve, dy objekteve të paketimit të mikroprocesorëve dhe një qendre kërkimore dhe zhvillimi në shtetin perëndimor të Arizonës.

Komentet e presidentit vijnë dy ditë pasi zoti Wei dhe Presidenti amerikan Donald Trump njoftuan zgjerimin e gjigantit të mikroprocesorëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne duhet të jemi në gjendje të prodhojmë mikroprocesorët dhe gjysmëpërçuesit që na duhen pikërisht këtu”, tha Presidenti Trump gjatë konferencës për shtypin, duke shtuar se masa është “një çështje e sigurisë kombëtare” për Shtetet e Bashkuara.

Zoti Wei tha të enjten se kompania “TSMC” gjithashtu planifikon të ndërtojë 11 linja të reja prodhimi në Tajvan këtë vit dhe zgjerimi në Shtetet e Bashkuara nuk do të ndikojë në këtë afat kohor.

“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë linja prodhimi në Tajvan dhe i kam kërkuar Presidentit Lai që të ndihmojë kompaninë “TSMC” të gjejë toka të reja për të ndërtuar objekte”, tha ai.

Kompania “TSMC” ka ndërtuar gjithashtu objekte të reja në Japoni dhe Gjermani në vitet e fundit, një lëvizje që zoti Lai tha se ndihmon bizneset e tjera tajvaneze të përfshihen në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rrit fuqinë e Tajvanit.

Zgjerimi global i kompanisë “TSMC” tregon se “industritë e Tajvanit kanë arritur të lëvizin drejt perëndimit, jugut dhe veriut, dhe fuqia e tyre në dekadat e fundit e ka ndihmuar Tajvanin të kalojë me besim Oqeanin Paqësor dhe të zgjerohet drejt lindjes në kontinentin amerikan”, tha Presidenti Lai gjatë konferencës për shtypin të enjten.

Opozita nuk është e kënaqur

Megjithë garancitë nga zoti Wei dhe Presidenti Lai, zgjerimi i kompanisë “TSMC” në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Tajvan, me disa ligjvënës të opozitës që thonë se zgjerimi i kompanisë “TSMC” në Shtetet e Bashkuara mund të dëmtojë industrinë e mikroprocesorëve të ishullit dhe sigurinë kombëtare.

Fu Kun-chi, drejtuesi i grupit parlamentar të partisë kryesore opozitare të Tajvanit, Kuomintang (KMT), u tha gazetarëve të martën se investimi shtesë i kompanisë “TSMC” në Shtetet e Bashkuara mund ta lërë Tajvanin “pa masa mbrojtëse” në rastin e një sulmi ushtarak nga Kina, pasi Uashingtoni do të siguronte procesin për prodhimin e mikroprocesorëve më të avancuara.

Gjithashtu, ish-Presidenti i Tajvanit, Ma Ying-jeou, gjithashtu nga partia Koumingtang, e ka akuzuar Presidentin Lai për “shitjen” e kompanisë “TSMC” Shteteve të Bashkuara.

“Tajvanezët shqetësohen se ‘mbrojtësja e vendit’ do të largohet dhe kjo është një krizë madhore e sigurisë kombëtare që do të ketë ndikim negativ tek vetëbesimi i popullit tajvanez, marrëdhëniet ndërmjet dy palëve të ngushticës detare dhe pozicionimit gjeopolitik të Tajvanit në të ardhmen”, shkruajti zoti Ma të martën në platformën Facebook.

Analistët thonë se retorika e partisë opozitare është pjesë e strategjisë së saj për të ngritur pikëpyetje në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Tajvan.

“TSMC-ja i ka zgjeruar operacionet e saj prej kohësh, përfshirë në Japoni dhe Kinë, por ideja se ‘TSMC’-ja po braktis Tajvanin shfaqet vetëm kur fokusi është tek zgjerimi i ‘TSMC’-së në SHBA”, tha Lev Nachman, profesor i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Tajvanit.

“Kjo është një shenjë se ka të bëjë më shumë me përpjekjen për të përhapur skepticizmin për Amerikën sesa një kritikë e vërtetë për ‘TSMC’-në dhe synimet e saj”, i tha ai Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit.

Ekspertë të tjerë thonë se ndërsa qeveria tajvaneze po përpiqet të kundërshtojë kritikat e partisë opozitare nëpërmjet një konference për shtypin të enjten, argumentet e partisë Koumintang po ngjallin dyshime.

“Përpjekjet e tyre kanë arritur qëllimin e synuar sepse ka shumë informacion për njerëzit që nuk janë të njohur me operacionet e ‘TSMC’-së jashtë Tajvanit për t’i kuptuar”, tha Chen Fang-yu, shkencëtar politik në Universitetin Soochow në Tajvan.

“Edhe kur ‘TSMC’-ja të përfundojë të gjitha objektet e saj në vende të tjera deri në vitin 2030, mbi 80% e prodhimit të saj do të mbetet në Tajvan, që do të thotë se zgjerimi i saj jashtë vendit nuk do të ndikojë vërtet tek Tajvani kaq shumë”, i tha ai Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit.

Ende në pikëpyetje shpenzimet për mbrojtjen

Presidenti Trump ka thënë vazhdimisht se Tajvani ka vjedhur nga Shtetet e Bashkuara teknologjinë e mikroprocesorëve, zoti Nachman thotë se zgjerimi i ‘TSMC’-së në Arizona të Shteteve të Bashkuara, mund të ndihmojë për të zbutur tensionin ndërmjet Taipeit dhe Uashingtonit.

Investimi i mëtejshëm “ndihmon për ta siguruar administratën Trump se Tajvani është serioz për veprimet që duhet të ndërmarrë për të qenë mik me Amerikën”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Megjithë këtë efekt pozitiv, studiuesit Chen dhe Nachman thonë se Tajvani ende përballet me trysni nga administrata amerikane për të rritur në nivel domethënës buxhetin e mbrojtjes.

“Tajvani nuk duhet të festojë për shkak se pamë Elbridge Colby-in të përsërisë qëndrimin e Trump-it gjatë seancës për konfirmimin e tij, se Tajvani duhet të shpenzojë për mbrojtjen 10% të prodhimit të brendshëm bruto”, tha zoti Nachman, duke shtuar se qeveria tajvaneze do të ndjejë shumë trysni nga Uashingtoni kur çështja e mbrojtjes së Tajvanit të bëhet sërish pjesë e vëmendjes së Presidentit Trump.

Për të trajtuar sfidat në vazhdim, zoti Chen tha se qeveria tajvaneze duhet të demonstrojë gatishmërinë për të blerë armatime të mëtejshme nga Shtetet e Bashkuara, ose për të paraqitur plane për të thelluar bashkëpunimin për mbrojtjen me Uashingtonin.

“Tajvani duhet të tregojë vendosmërinë e tij për të shtuar kapacitetet e mbrojtjes dhe duhet të paraqesë disa shifra konkrete”, i tha ai Zërit të Amerikës.