Tahiri: Ra kambana e panikut në Vetëvendosje, Kurti e partia e tij e thyer do përballen me disfatë

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka vazhduar polemiken me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se në Vetëvendosje “ka rënë kambana e panikut” dhe se kjo parti ka frikë nga zgjedhjet, e sidomos nga ajo që i pret pas tyre, shkruan lajmi.net.

“Këtë e konfirmoi zyrtarisht në Facebook, “lideri shpirtëror” i Vetëvendosjes së cunguar, duke bërë thirrje për një koalicion të gjerë parazgjedhor. Tashmë kur e ka të qartë se dëshpërimi që i pret pas zgjedhjeve është i pa kapërdishëm, përballë një PDK-je të fuqishme, është hedhur në aventurë për koalicione”, ka shkruar Tahri në Facebook.

Ministri Tahiri e ka quajtur deklarimin e Kurtit “Aventurë Alla Don Kishot”, duke e krahasuar Kurtin me personazhin e Miguel De Servantes, i cili luftonte me mullinjtë e erës.

Ai ka shtuar gjithashtu se pas zgjedhjeve, Kurti dhe partia e tij do të përballen me humbjen e radhës.

Ky është postimi i tij i plotë:

Para dy orësh, ra kambana e panikut. Albin Kurti dhe partia e tij e thyer kanë frikë nga zgjedhjet e veçmas nga ajo që i pret pas tyre. Këtë e konfirmoi zyrtarisht në Facebook, “lideri shpirtëror” i Vetëvendosjes së cunguar, duke bërë thirrje për një koalicion të gjerë parazgjedhor.

Tashmë kur e ka të qartë se dëshpërimi që i pret pas zgjedhjeve është i pa kapërdishëm, përballë një PDK-je të fuqishme, është hedhur në aventurë për koalicione. Aventurë alla Don Kishot, me beteja, e pa beteja, me ankth e me festa, me iluzione e pa to, duke marrë vullnetin e popullit në duart e veta për të caktuar edhe numrin e deputetëve që populli medoemos duhet t’ia “prodhojë”.

Pas zgjedhjeve, Albini dhe partia e tij e thyer, do përballen me disfatën e radhës, disfatën që do t’i peshojë aq sa vlejnë e jo aq sa mund të kamuflojnë.

Qytetarët e Kosovës dhe nga sot zyrtarisht edhe ata individë që mund të kenë pasur dilemë, tashmë e kanë të qartë se pushteti nuk është aventurë që t’iu shërbehet atyre që s’besojnë as vetë se janë të denjë për të.