Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar nëpërmes një statusi, duke komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, përcjell Reporteri.net.
Sipas Tahirit, pushteti ofroi Asociacionin, por mori grushte nga Gjermania, Franca dhe Italia.
Tutje siç u shpreh ajo pushteti e rrëzoi Kosovën në dy gjunjë.
“.. E rrezuan Kosovën në dy gjunjë, kurrë Kosova nuk ka lejuar te rrëzohet as në luftë as në paqe deri sot- është një porosi kur deveja i thotë pronarit para se ta përfundon jetën që të gjithë e dimë – në këtë gjendje te mjerueshme kemi rene – fatkeqësi katastrofale..” tha Tahiri.
Më 16 maj, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, tha se ka njoftuar Këshillin e Evropës se Qeveria po përgatit një draft-statut për Asociacionin, të cilin mëton që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim deri në fund të majit.
Në letër, ajo tha se me këtë Kosova ka përmbushur kërkesën e vendeve anëtare të Këshillit që kushtëzuan pranimin në këtë organizatë me themelimin e Asociacionit. Kryediplomatja kosovare tha se Kosova ka përmbushur zotimin e saj dhe kërkoi që shtetit t’i hapet rrugë për anëtarësim në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.