Tahiri: Mitrovicalitë, më 12 tetor e mbajtën besimin që më dhanë mua

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut nga Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se rezultati që mori në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ishte një konfirmim nga qytetarët e kësaj komune se e donin atë si garues.

Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ai deklaroi se kandidimi i tij vjen nga kërkesat e mitrovicalëve dhe strukturave të PDK-së.

“Për mua personalisht ka qenë një konfirmim i besimit të qytetarëve të Mitrovicës, sepse në Mitrovicë njihemi të gjithë me njëri-tjetrin. Ka qenë një kërkesë e qytetarëve të Mitrovicës, por edhe e strukturave të partisë dhe miqve që të jem kandidat”, tha Tahiri.

“Ky ka qenë një konfirmim paraprak i tyre, një besim i mbajtur, i konfirmuar edhe në ditën e zgjedhjeve, nga rezultati i këtyre zgjedhjeve”, shtoi ai.