Tahiri: Më 9 nëntor do të rikonfirmohet bindshëm fitorja jonë e madhe

Kandidati i PDK-së për Mitrovicën, Arian Tahiri, ka thënë se gara e tij në rundin e parë ka qenë për qytetin e Mitrovicës.

Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ka takuar shumë grupe qytetarësh me të cilët ka diskutuar ide e plane të shumta.

I pyetur nëse ka qenë e tërë Qeveria Kurti kundër tij në rundin e parë, duke ia ofruar tërë mbështetjen kandidatit të LVV-së, Faton Pecit, ai tha:

“Për mua kjo ka qenë një garë për qytetin e Mitrovicës, garë që e kam ndje që në ditën e parë me qytetarët, për qytetin, për shkak se kam garuar me qëllim të qartë, me i fitu zgjedhjet dhe me qeverisë për periudhën 2025-2029 me një planprogram konkret, specifik, të matshëm, të realizueshëm. Gjithashtu participues në planprogramin tim kanë qenë qytetarët e Mitrovicës, për shkak se i kam takuar grupe të mëdha të tyre, me qëllim që me i marr mendimet dhe idetë e tyre që i vlerësojnë të dobishme për qytetarin. Tash do të vazhdojmë edhe për fazën tjetër që ta kapitalizojmë fitoren tonë të madhe, dhe të qytetit të Mitrovicës”, tha Tahiri.

Për dyshimet për manipulim me votën, ai ka thënë se është konstatim i saktë.

“Kommisionerët tanë, vëzhguesit, por edhe qytetarët, kanë vërejtur dukuri jo të rregullta. Ata kanë bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe i kanë deponuar të gjitha dëshmitë, dhe tash meqë është një procedurë e cila është edhe në prokurori edhe në polici, janë organet kompetente të cilat merren me çështjen dhe fenomenin, dhe nuk dua të lëshohem më shumë sepse nuk dua të ndikoj në proces”, deklaroi ai.

Sipas Tahirit, në këtë fazë, disponimi i qytetarëve të Mitrovicës për të mbështetur PDK-në është edhe më i madh pas garës së 12 tetorit.

“Besoj shumë se do të rikonfirmohet edhe më fuqishëm me 9 nëntor fitorja e madhe e qytetit dhe qytetarët e Mitrovicës”, potencoi ai.