Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se vizita e sotme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg është lajm i mirë.
Ai ka shtuar se angazhimi i NATO-s në Kosovë, përbënë një akt të sigurisë jo vetëm për vendin tonë por për të gjithë rajonin.
“Mendoj që angazhimi dhe bashkëpunimi i institucioneve me NATO-n duhet të vazhdojë në mënyrë që të mos lejohet në asnjë rrethanë që të kemi sulme siç ishte ai i 24 shtatorit. Ju e dini që KFOR-i respektivisht NATO ka mandatin për të mbrojtur kufijtë e Kosovës dhe një koordinim sa më i ngushtë me NATO-n është i domosdoshëm për sigurinë”, tha Tahiri.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se në Rashkë po ndodh një riorganizim i grupit paramilitar të Milan Radoiçiqit, shefi i deputetëve të PDK-së theksoi se Kurti duhet të përgjigjet se përse e lejoj të ikte Radoiçiqin më 24 shtator.
“Sa i përket deklaratës së kryeministrit mendoj që ai duhet ti përgjigjet një pyetje qytetarëve. Në kohë reale me 24 shtator nga pamjet që janë siguruar nga droni ata kanë parë Radoiçiqin në Manastirin e Banjskës, pra pse është lënë të ikë një person që tashmë përbente kërcënim serioz për vendin tonë. Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, ai atë ditë është dashur të kapej nga Policia e Kosovës.
Para se me na tregu kryeministri se çka o bënë Radoiçiqi në Rashkë, mirë është me na tregu se përse e la me ikë atë dit. Në kohë reale janë parë pamjet dhe neve na janë prezantuar pas tri ditësh”, tha Tahiri.
Ai këto deklarime i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku theksoi se si grup parlamentar kanë kërkuar që këtë të enjte në seancë të Kuvendit të jetë për diskutim raporti i BE-së për Kosovën.
“Mendoj që diskutimi i raportit të tillë duke diskutuar të gjeturat e këtij raporti, është i rëndësishëm”, tha Tahiri. /Telegrafi/