Tahiri i përgjigjet Zybës: Synimi i Haradinajt për president është legjitim – VV s’ka parime, Kurti iu përkul Mustafës

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, i cili tha se po t’i premtohej liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, posti i presidentit, do t’i ndërronte fjalët për kryeministrin, Albin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka akuzuar VV-në se është partia e fundit që mund të thirret në parime, teksa ka përmendur se kryeministri, Albin Kurti, “i ishte nënshtruar Isa Mustafës për pak pushtet, ndërsa më herët kishte sulmuar atë dhe familjen e tij me akuzat e tij”.

Sipas tij, synimi i Haradinajt për postin e presidentit është legjitim dhe i drejtë, duke theksuar se ky synim nuk është në pronësi të askujt.

Ai ka shtuar se VV ka shkelur çdo qëndrim politik dhe ka kontribuar në shkatërrimin e vendit, duke e sjellë në një krizë politike dhe ekonomike.