Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e hartimit dhe miratimit të buxhetit për vitin 2026, duke akuzuar Qeverinë për qasje autoritare.
Tahiri ka thënë se Qeveria ka pasur kohë që nga 28 dhjetori të bëjë përgatitje për buxhetin, por nuk ka pasur përpjekje reale për të përgatitur draftbuxhetin, duke shtuar se vonesat kanë qenë të qëllimshme për përfitime politike.
“Nuk janë mërzit, sepse e kanë ditur që fitojnë dhe kanë dashur ta mbajnë Kosovën dhe institucionet në një situatë pezull”, u shpreh ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas tij, vendi po përballet me atë që e quajti “autokraci moderne”, duke paralajmëruar rrezik për funksionimin demokratik të shtetit.
“Një parti që fiton mbi 51 për qind është legjitime ta shtyjë politikën e vet, por ajo që është jolegjitime dhe e dëmshme është mënyra si po veprohet”, theksoi Tahiri.
Ai kritikoi faktin se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur 45 ditë kohë por nuk i ka përcaktuar vijat buxhetore për investime në energji, për financimin e aparatit shtetëror për rritjen e numrit të ministrive dhe për projekte strategjike, por ka mundur ta përfshijë pagën e 13-të.
“Për 45 ditë nuk paskan kohë me i vendos vijat buxhetore për investime në energji, nuk paskan pas kohë për financimin e aparatit shtetëror që i kanë rrit ministritë, nuk paskan pas kohë me rrit buxhetin për fondin e sigurimeve shëndetësore, nuk kanë pas kohë për projektet thelbësore strategjike, nuk ka pas kohë se çka do të bëjë me investimet kapitale, e paska pas kohë për rrogën e 13-të. A do ta marrë sektori privat? A nuk ka dit apo nuk ka dashur Kurti me përcaktu një rrogë të 13-të për sektorin privat? Po flasim për një qeveri qe për 45 ditë nuk ka mundur ta bëjë një buxhet”, shtoi Tahiri.
Sipas tij, buxheti i miratuar nuk përmban asnjë projekt të ri zhvillimor.
“Kurti foli për energji, por ku janë investimet konkrete në këtë buxhet?”, përfundoi Tahiri.
Buxheti për vitin 2026 u miratua të premten në lexim të dytë në Kuvend, ndërsa opozita nuk e mbështeti, pasi asnjë nga amendamentet e saj nuk u përfshinë në dokumentin final.









