Tahiri dyshon se njerëz të Pecit po e sulmojnë me profile të rreme në rrjete sociale

Në rrjete sociale raportohet se janë hapur shumë profile e faqe të ndryshme, përmes së cilave thuhet se po sulmohet kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri.

Ndonëse tha se nuk mendon që janë të orkestruara nga Lëvizja Vetëvendosje, ai hodhi dyshime se janë krijuar nga njerëz të afërt me kundërkandidatin e tij në këtë garë, Faton Pecin e LVV-së.

 

 

“Nuk mendoj se janë të orkestruara nga LVV-ja, por nga një ekip familjar i miqve sepse janë duke u dekonspiruar vazhdimisht dhe u prezantuar edhe në publik se kush janë prapa tyre…”.

I pyetur nëse janë njerëz të Pecit, ai tha: “Po janë një ekip i ngushtë që do të dekonspirohen për shkak se edhe personalisht kam bërë denoncim, dhe janë edhe organet kompetente dhe njerëzit që merren me teknologjinë informative…”.

 

 

Ai konfirmoi se ditëve të fundit është shtuar numri i sulmeve propaganduese ndaj tij në rrjetet sociale, kryesisht sulme me profile të rreme, raporton Klan Kosova.

“Kam parë ditëve të fundit që ka vëllim më të madh të sulmeve propaganduese në rrjete sociale, kryesisht me profile fake, me faqe fake të sapokrijuara, apo të blera më herët e të ndërruara nga një autosallon në një faqe tjetër, prej Elkosit e kam parë një tjetër… ekipi është profesional, janë duke i monitoruar dhe duke nxjerrë dëshmi, me qëllim që të dekonspirohen… e kanë parë se janë bërë në profile kinse përfaqësojnë qytetin e Mitrovicës, që realisht janë krejt tjera, janë ekipe propaganduese. Tregojnë qartë për strategjinë e palës”, u shpreh Arian Tahiri.