Tahiri del me kërkesë urgjente për qeverinë: Ekzekutoni pagën e 13-të edhe për sektorin privat

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i ka parashtruar një kërkesë urgjente Qeverisë së Kosovës.

Ai ka kërkuar ekzekutim të pagës së 13-të edhe për punonjësit e sektorit privat, disa ditë pasi ekzekutivi vendosi për shpërndarjen e pagave të 13-ta për rreth 80 mijë punonjës të sektorit publik.

Tahiri, në një deklarim për media para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të enjten, e cilësoi “marre” të shpërndahen paga për sektorin publik, e të mos shpërndahet asnjë mjet për sektorin privat.

“Unë them kështu: qeveria urgjentisht duhet të marrë veprime për punëtorët që janë në sektorin privat; duhet të dalin të na tregojnë se çka do të bëjnë për gratë dhe burrat që sot me shumë të drejtë janë të mërzitur dhe e urrejnë secilin prej 80 mijë njerëzve që janë duke marrë rrogë pa meritë. Ku burrë e merr rrogën pa bërë sen?!”, tha ai.

Rreth 80 mijë punonjës përfituan pagën e 13-të në fillimin e muajit prill, pasi ekzekutimi i mjeteve ishte i pamundur në fillim të vitit të ri për shkak të mosthemelimit të institucioneve.