Tahiri: Çmimet e energjisë dhe naftës po e bëjnë jetën të papërballueshme

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas konferencës për media të mbajtur sot në selinë qendrore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku u prezantua një analizë e detajuar e gjendjes ekonomike në vend.

Sipas tij, të dhënat e prezantuara, të bazuara në raportet e Odës Ekonomike të Kosovës dhe vlerësimet e ekspertëve, tregojnë se vendi po hyn në një fazë të rrezikshme të përkeqësimit ekonomik. Ai theksoi se rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve, duke shkaktuar rënie të konsumit dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik.

Tahiri deklaroi se bizneset po përballen me rënie të shitjeve dhe rritje të kostove, ndërsa sektorët e bujqësisë dhe energjisë po goditen drejtpërdrejt, duke krijuar efekt zinxhir në gjithë ekonominë dhe duke ndikuar në rritjen e çmimeve ushqimore.

Ai paralajmëroi gjithashtu se rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës po rrit koston e prodhimit dhe jetesës në të gjitha nivelet, duke rrezikuar konkurrueshmërinë e ekonomisë vendore. Sipas tij, mungesa e veprimeve konkrete dhe rritja e pasigurisë po i shtyjnë bizneset që të zhvendosin kapitalin jashtë vendit, çka përbën sinjal alarmi për ekonominë e Kosovës.

Tahiri paraqiti edhe kërkesat konkrete të AAK-së, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe ZRRE-së që të mos lejojnë rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike prej rreth 21 për qind, pasi një vendim i tillë, sipas tij, do të rëndonte drejtpërdrejt familjet dhe bizneset dhe do të dëmtonte prodhimin vendor.

Ai kërkoi gjithashtu që Qeveria urgjentisht të sjellë në Kuvend amendamentet ligjore për uljen e përkohshme të akcizës dhe TVSH-së për naftën, me qëllim uljen e menjëhershme të çmimeve dhe lehtësimin e kostos për qytetarët dhe bizneset deri në stabilizimin e tregut.

“Çmimet e larta të naftës dhe energjisë po e bëjnë jetën të papërballueshme, ndërsa ekonomia po fundoset. Qeveri vepro me masa konkrete”, ka përfunduar Tahiri.