Tahiri bën thirrje për ndërprerje të grevës: Oferta e qeverisë parasheh rritjen e koeficientit
Besnik Tahiri, Koordinator për Reforma në Qeverinë e Kosovës, tha se propozimi i qeverisë për SBASHK-un përfshinë edhe rritjen e koeficientit për mësimdhënësit.
“Propozimi ka dalë pas një analize shumë të thellë nga Ministria e Financave dhe e dakorduar me Kryeministrinë dhe Komisionin Parlamentar. Nuk është minimal, as maksimal. Është për ta kthyer dinjitetin e mësimdhënësve”, ka thënë Tahiri.
Tahiri tha se qeveria ka bërë të pamundurën që të arrijë tek kjo ofertë, përderisa theksoi se kjo është mundësia e Kosovës dhe e qeverisë.
“Mirëpo ka një loje, një tendencë me i manipulua mësimdhënësit gjithandej Kosovës. Kategoria më e ulët në oferte është afër 500 euro me koeficient të rritur. Rritja e pagave është paraparë me rritje të drejtpërdrejtë te koeficienteve”.
Ai bëri thirrje për të gjithë mësimdhënësit që të ndërpresin grevën.
“I ftoj që të reflektojnë, sepse po i bëjnë një dëm shumë të madh edhe nxënësve edhe mësimdhënësve”, theksoi Tahiri.
Ndryshe, SBASHK-u përfundimisht nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë, dhe greva po vazhdon.