Arian Tahiri, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, ka deklaruar në emisionin Debat Plus se, pavarësisht humbjes në raundin e dytë në Mitrovicë për kryetar të komunës, angazhimi i tij politik do të vazhdojë jo vetëm për Mitrovicën, por për gjithë Kosovën.
Tahiri theksoi se ky angazhim buron nga një përkushtim personal dhe moral, duke vënë në pah mbështetjen që gëzon nga strukturat e PDK-së dhe qytetarët në mbarë vendin.
“Është angazhim i sinqertë dhe i devotshëm, përkushtim personal me gjithë kapacitetin dhe energjinë time. Vij bashkë me energjinë dhe mbështetjen e miqve, aktivistëve, qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithandej aktivistëve të PDK-së në të gjitha qytetet e Kosovës. Pra, është edhe energji, por edhe obligim moral i imi që t’i përfaqësoj e të jem në rrugën e forcimit të PDK-së, me qëllimin e arritjes së rezultatit të dobishëm, të vlefshëm dhe të maksimalizimit të votës, që me datën 28 të fitojë PDK-ja, por mbi të gjitha të jetë fitore për shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor.











