Mesfushori portugez Bruno Fernandes është i bindur se Manchester United i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në Champions League sezonin tjetër. Aktualisht, “djajtë e kuq” janë në vendin e tretë të renditjes në Premier League.
Humbja javën e kaluar ndaj Newcastle, që erdhi pas një serie pozitive prej 6 ndeshjesh nën drejtimin e Michael Carrick, nuk do të ndikojë në të ardhmen. I këtij mendimi është kapiteni portugez para ndeshjes me Aston Villa këtë fundjavë.
“Kemi bërë paraqitje të mira dy muajt e fundit dhe një humbje mund të ndodhë, pasi ky është futbolli. Ekipi është rritur dhe ka fituar më shumë besim, ndaj mendoj se do të rikthehemi te fitorja shumë shpejt”, tha Fernandes.
“Një humbje nuk do të prishë këtë që po ndërtojmë dhe duam të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes. Ky ekip meriton të luajë në Champions dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’ia dalë mbanë”, tha portugezi.
The post “Synojmë Champions, një humbje nuk do ta shkatërrojë gjithçka të bukur që po ndërtojmë me Carrick” appeared first on Telesport.










