Pas barazimit me Serbinë në “Air Albania”, Shqipërinë e pret testi i radhës nesër mbrëma.
Kombëtarja shqiptare përballet me Letoninë në ndeshjen e katërt kualifikuese për Botëror, me fillim nga ora 20:45.
Një ditë para ndeshjes në konferencë për media doli trajneri Sylvinho së bashku me yllin e kombëtares, Kristjan Asllani.
Tekniku brazilian foli për gjendjen e sulmuesve shqiptar pas ndeshjes me Serbinë, si dhe u ndal pak edhe tek Rey Manaj.
“Ndeshja e dytë është gjithmonë pak më e vështirë, në aspektin e rikuperimit por edhe të menaxhimit të skuadrës. Është e vështirë dhe këtë nuk e them vetëm unë si trajner i ekipit të Shqipërisë, po e thonë shumë trajnerë të tjerë të ekipeve kombëtare. Nuk kemi vendosur asgjë lidhur me formacionin, do të kemi pak më vonë një seancë stërvitore të lehtë. Nesër në mëngjes mund të kemi një ide më të qartë për formacionin. Kemi një lloj avantazhi në ekip pasi kemi 22-23 lojtarë, nga të cilët mund të zgjedhim pozicione të ndryshme. Mbrojtës të majtë, të djathtë, mesfushorë shumë cilësorë, sulmues. Kemi hapësira për të zgjedhur lojtarë të ndryshëm dhe përmend disa prej tyre: Muçi, Uzuni, Pajaziti, Ramadani, Broja, Asani, Daku etj. Kemi mundësi të zgjedhim nga të gjithë këta lojtarë dhe do të vendosim nesër, pasi të kemi mbyllur çdo lloj përgatitje. Sa i përket Manajt, është një lojtar që ka eksperiencë. Është titullar me ekipin tonë, e njoh që prej vitit 2014 tek Interi. Është një djalë me shumë personalitet, por e kam folur edhe me të. Përgjegjësia është e imja. Pas përgatitjeve që bëjmë, ku shohim penalltitë që gjuajmë herë pas here nga lojtarët, jam unë ai që vendos se cili do të gjuajë penalltitë”, tha fillimisht Sylvinho.
Ndeshja me Letoninë mund të jetë vendimtare për rrjedhën e kësaj kampanje të kombëtares, teksa braziliani e pohon se është ndeshje me presion.
“Ndeshja ka presion. Kur punon në Kombëtare, akoma më shumë. Kemi zhvilluar 3 ndeshje, janë edhe 5 të tjera për të mbyllur grupin. Futbolli është i tillë që nuk të jep shumë kohë. Duhet të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur. Letonia ka mundur Andorrën. Për ta dhe për ne është ndeshje shumë e rëndësishme. Duke krahasuar skuadrën sot me dy vite më parë, është me më shumë eksperiencë në aspektin e menaxhimit të emocioneve dhe presionit”, vazhdoi tutje braziliani.
Sylvinho më tej foli edhe për kundërshtarin e nesërm ku e analizoi lojën e tyre.
“Është një ekip fizik. Ka lojtarë të fortë dhe të gjatë, që japin centimetra në fushë. Mund të luajnë me skema të ndryshme: 3-5-2, 3-4-3. Në një lloj mënyre, është një ekip që luan një lloj futbolli të kodifikuar. Ka një trajner italian, kanë një metodë të tyre specifike se si e organizojnë ekipin në fushë. Ka dy – tre lojtarë të cilët janë të shpejtë dhe të majtë, që mund të jenë funksionalë për ekipin. Është një ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme”, potencoi Sylvinho.
I pyetur nëse Mitaj mund të aktivizohet tek kombëtarja si mesfushorë, siç po luan tek Al-Ittihad, kështu u përgjigj, trajneri brazilian:
“Është një lojtar shumë teknik. I jep ekuilibër skuadrës. Por rrugëtimi i një lojtari në kombëtare është i tillë që nuk ke kohë t’i provosh lojtarët në pozicione të ndryshme. Ai e bën shumë mirë rolin e mbrojtëit të majtë. Është një mbrojtës i majtë. I jep skuadrës ekuilibër, bën shumë mirë si te ne, ashtu edhe te klubi ku luan. Do të vazhdojë kështu për momentin”, shtoi ai.
Sylvinho konfirmoi se edhe Adrion Pajaziti do të jetë në 23-shen e nesërme të ndeshjes, i cili mungoi ndaj Serbisë.
“Është një lojtar që ka qenë me ekipet e moshave me ne. Luan me këmbën e majtë, ka forcë fizike si lojtar. Edhe tek ekipi i tij te Benfica po angazhohet edhe më shumë. Në të ardhmen është një opsion shumë i mirë. Do të jetë nesër në 23-shen e lojtarëve të përzgjedhur për ndeshjen”, tha më tej ai.
Për fund ai u pyet edhe për shiritin e kapitenit, pasi Berat Gjimshiti do të mungojë shkak i kartonëve.
“Varet, kemi 2-3 emra. Do të shohim. Siç e thashë edhe më sipër, ndeshja e dytë është e vështirë sepse nuk ka kohë. Nëse do të kishim më shumë kohë, do ta kishim më të qartë zgjedhjen. Por do të shohim pas stërvitjes sonte”, përfundoi Sylvinho./Arbresh.info
The post Sylvinho për sfidën me Letoninë: Ndeshje e vështirë, por ne jemi këtu vetëm për fitore appeared first on Kosovapost.net.