Sylejman Selimi sot vazhdon deklarimin në Hagë

 

Sylejman Selimi, ish-komandant i UÇK-së në zonën operative të Drenicës, për të tretën ditë radhazi, sot do të vijojë dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Selimi deklaroi edhe dje përpara trupit gjykues, me këta të fundit që i kërkuan kërkuan informacione rreth rastit Drenica 2, për çka edhe pati kundërshtime nga avokati i Kadri Veselit.

“E kundërshtoj këtë pistë pyetjesh se tani po më duket sikur ka dalë një avokat mbrojtës këtu… Ky është një grumbull dokumentesh që kanë ardhur nga Beogradi. Nuk e dimë se çfarë është kronologjia, janë pranuar disa dokumente dhe dëshmitari nuk lidhet drejtpërsëdrejti me dokumentet që nuk janë pranuar.

Prokuroria duhet ta ndjekë procedurën e saktë, të gjejë personin që i ka sjellë dokumentet dhe prejardhjen e dokumentit, por ky nuk është dëshmitari që mund të shfrytëzohet për pranimin e këtyre dokumenteve. Nuk është mënyra e saktë kjo. Ua thashë edhe më herët që Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës”, tha Dixon.

Informacione Selimit iu kërkuan edhe rreth grupit të Prekazit, me ç’rast ai përmendi emrin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Përveç teje dhe Adem Jasharit, a mund të na thoni kush kanë qenë anëtarët e tjerë të GP”, pyeti Luka Misetiq, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit.

“Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra”, u përgjigj Selimi.

Misetiq ka vazhduar me pyetje drejtuar Selimit, rreth strukturës organizative të UÇK-së.