Syla: Personi i arr*estuar në Serbi nuk figuron si ushtar i UÇK-së

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla thotë se personi i arrestuar dje në Serbi nuk figuron të jetë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Syla në një intervistë për KosovaPress tha se sipas arkivave të kësaj organizate personi i arrestuar mbrëmë në Serbi nuk është veteran i UÇK-së.

“Jo, sipas të dhënave që i kemi, Organizata e Veteranëve të Luftës që i posedon arkivi i saj, poashtu edhe lista e veteranëve të Kosovës, personi në fjalë nuk rezulton të jetë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo nuk e ka statusin e veteranit të UÇK-së”, tha ai.

Syla konfirmoi se bashkëluftëtarët e Pejës poashtu pohuan se nuk e kanë parë personin në fjalë në asnjë aktivitet të UÇK-së.

“Duke pasur parasysh faktin që shumë luftëtarë të lirisë nuk kanë aplikuar fare për statusin e veteranit të luftës, ne jemi interesuar edhe mbrëmë edhe sot gjatë ditës kemi komunikuar me bashkëluftëtarë të qytetit të Pejës dhe lagjes ku ai ka jetuar edhe ata e dëshmojnë një gjë të tillë dhe thonë që nuk e kanë takuar ndonjëherë në vijat e luftës apo në fronte të luftës apo qoftë edhe në ndonjë aktivitet tjetër të UÇK-së”, përfundoi ai.

Kujtojmë se dje mediat serbe raportuan për arrestimin e një ish ushtari të UÇK-së në Serbi. Personi i arrestuar me inicialet L.H është ndaluar në qytetin Svilajnac të Serbisë të martën.

The post Syla: Personi i arr*estuar në Serbi nuk figuron si ushtar i UÇK-së appeared first on Kosovapost.net.