Syla i OVL-UÇK ia kujton Haxhiut kur LVV dhe LS përjashtuan veteranët nga Ligji i pagës minimale

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ditës postoi një fotografi nga seanca e sotme e kuvendit ku u hodh në votim “Qeveria Konjufca”.

Me të dështuar zgjedhja e tij si kryeministër, deputetja e LVV-së postoi një fotografi të Grupit Parlamentar të PDK-së, prapa të cilëve janë të ulur GP i Listës Serbe.

“Në harmoni të plotë”, shkroi ajo, teksa në foto shihet se të gjithë deputetët, edhe të PDK-së edhe të Listës Serbe kanë ngritur dorën lart për të votuar kundër Konjufcës kryeministër, raporton Klankosova.tv.

E si kundërpërgjigje, nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, postoi një foto tjetër nga një moment i mëhershëm në Kuvendin e Kosovës.

Aty shihen deputetët e LVV-së dhe të atyre të Listës Serbe, me duart e tyre të ngritura lart.

“Në harmoni të plotë. Votuan për pagën minimale, por veteranët e UÇK-së i lanë jashtë ligjit”, shkroi Syla në postimin e tij në Facebook.

Qershorin e vitit 2022, Kuvendi e kishte kaluar në lexim të parë Projektligjin për rritjen e pagës minimale, mirëpo nga ky ligj ishin përjashtuar veteranët e UÇK-së, përfitues të skemave sociale.

Pro këtij projektligji kishin votuar LVV-ja dhe Lista Serbe, por jo edhe partitë tjera asokohe opozitare, të cilat kundërshtonin përjashtimin e kategorive të luftës nga ky projektligj.