Syla: Ekspozita në Prishtinë shtrembëron të vërtetën e luftës

Përmes një reagimi në Facebook, nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite të vendosur në qendër të Prishtinës, duke e cilësuar atë si shtrembërim të së vërtetës së Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka theksuar se përmbajtja e ekspozitës cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe sakrificën e të rënëve për liri. Sipas Sylës, financimi i këtij projekti nga ana e shtetit përbën “fyerje të hapur”, pasi, siç është shprehur ai, relativizon krimet serbe, zvogëlon shifrat e masakrave dhe i paraqet civilët e vrarë si persona të armatosur.

Tutje, ai ka deklaruar se një veprim i tillë nuk është gabim i rastësishëm, por pjesë e një narrative të qëllimshme kundër UÇK-së, duke shtuar se institucionet që e kanë lejuar apo financuar këtë projekt mbajnë përgjegjësinë kryesore.

Syla ka përmendur edhe ideatorin e ekspozitës, Shkëlzen Gashi, duke bërë thirrje që të shmangen reagimet personale ndaj tij. Ai ka apeluar për maturi dhe unitet, duke paralajmëruar se reagimet e nxituara mund të ndikojnë në procese të ndjeshme gjyqësore në Hagë.

Në fund, ai ka theksuar nevojën për bashkim të të gjitha palëve për të mbrojtur, sipas tij, të vërtetën e luftës.