Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së, në një prononcim për RTV21, reagoi ndaj akuzave të publikuara së fundmi ndaj një personi që përmendet si bashkëluftëtar i UÇK-së.
Syla theksoi se këto akuza janë të pabazuara dhe politike. Sipas tij Serbia e ka zhvilluar vazhdimisht një luftë speciale kundër ish-ushtarëve të UÇK-së që nga përfundimi i luftës së fundit.
“Serbia, prej pas luftës në kuptimin e luftës me armë asnjëherë nuk e ka ndërprerë luftën speciale ndaj ushtarëve të UÇK-së. I shohim këto si tendencioze dhe politike, duke u nisur nga fakti se akuzat që janë publikuar mbrëmë, për të cilat akuzohet bashkëluftëtari ynë, nuk qëndrojnë. Nuk ka askush prej bashkëluftëtarëve tanë që e njeh. Është e pakuptueshme të ngrihen këto akuza ndaj një personi që nuk ka pasur pushkë në dorë. Gjasa ka që ky person të ketë kontribuar për vendin tonë, por në mënyra të tjera,” tha Gazmend Syla.











