Sekretari organizativ i AAK-së dhe kryetari i OVL UÇK, dega në Pejë, Gazmend Syla ka thënë se në vend se arrestimi i ushtarëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut ta alarmonte Kryeministrin Albin Kurti, ai ka organizuar takime vëllazërore, sikur të takohej me Qeverinë e Shqipërisë.
Në një postim të bërë në Facebook, Syla i AAK-së gjithashtu ka përmendur rastin kur para dy muajsh ishin hequr tabelat në gjuhën shqipe në rrugët e Maqedonisë së Veriut, teksa ka folur edhe për rastin e presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
“Tani e kuptojmë se për çfarë bashkimi kombëtar po flitet – për bashkëvëllazërimin e vjetër titist”, ka shkruar ai mes tjerash.
Reagimi i plotë:
Arrestimi i ushtarëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut është shqetësim që do duhej të alarmonte menjëherë Kryeministrin e Kosovës.
Përkundër kësaj situate të rëndë, ai vazhdon të organizojë takime “vëllazërore” mes dy qeverive, sikur të ishte duke u takuar me Qeverinë e Shqipërisë.
Realiteti është krejtësisht ndryshe.
Vetëm para dy muajsh, u hoqën brutalisht tabelat në gjuhën shqipe nga rrugët e RMV-së, ndërsa para pak javësh u maltretua edhe Presidentja e Kosovës.
A pyeti dikush për përmbajtjen e telefonit të Stoilkoviqit?
Padyshim që do të zbuloheshin të vërteta të hidhura.
Tani e kuptojmë se për çfarë bashkimi kombëtar po flitet – për bashkëvëllazërimin e vjetër titist.
Por, ashtu siç vdiq Tito, do të shuhen edhe mbetjet e fundit të ideologjisë së tij.