Sveçla reagon pas ngjarjes tragjike në Lipjan: Hetim i plotë dhe drejtësi

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për rastin tragjik në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Lipjan, ku gjatë arrestimit nga policia mbeti i vdekur 27-vjeçari, Agon Zejnullahu.

 

Në një deklaratë në Facebook, Sveçla ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe ka theksuar angazhimin e institucioneve përgjegjëse për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rastit.

“sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi”, theksoi Sveçla, duke shtuar se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.

Ai ka potencuar se bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti të rëndë.

Ministri në detyrë ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjarët e të ndjerit dhe ka bërë thirrje për drejtësi të plotë.

“Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, shtoi Sveçla.

Në fund, ministri në detyrë, Sveçla ka nënvizuar se Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend.

“Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, përfundoi Sveçla.

The post Sveçla reagon pas ngjarjes tragjike në Lipjan: Hetim i plotë dhe drejtësi appeared first on Kosovapost.net.