Sveçla për vdekjen e të riut në Lipjan: Fajtorët do të marrin dënimin e merituar

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, do të marrë dënimin e merituar.

Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës, pak pasi u arrestua nga policia, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë. Familja e tij ka thënë se Zejnullahu vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit. Për rastin është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarëve policorë, të cilët janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën “vrasje nga pakujdesia”.

Në një reagim, një ditë pas ngjarjes, ministri në detyrë ka thënë se për rastin po zhvillohen hetime me intensitet maksimal. Ai e ka vlerësuar kyç për zbardhjen e plotë të rastit bashkëpunimin në mes të Policisë, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë. Sveçla ka shtuar se kushdo që rezulton fajtorë do të përballet me drejtësinë.

“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, ka shkruar Sveçla në Facebook të martën.

Në fund Sveçla ka thënë se Policia është institucioni më i besuar dhe më kredibil në Kosovë, tek ka shtuar se besimin duhet ruajtur me çdo kusht.

E ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se po bëhen përpjekje që sa më shpejt të përfundojë raporti i autopsisë.

“Me urdhëresë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu. IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast”, ka shkruar ajo në Facebook.