Sveçla pas vrasjes së trefishtë: I indinjuar me trajtimin që prokuroria e gjyqësori po ia bëjnë rasteve të tilla

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi sot në Gjilan, e për të cilën tre persona janë shpallur në kërkim.

Sveçla tha se është jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria dhe Gjyqësori, janë sipas tij, duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri.

Ai tutje ka deklaruar se është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë dhe të mos ketë tolerim për asnjë kriminel.

Postimi i tij i plotë:

Thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë sot në Komunën e Gjilanit, ku tre qytetarë mbetën të vrarë nga tre të dyshuar të cilët tashmë janë shpallur në kërkim. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet.

Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot.

Është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale. Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar.