Sveçla: Është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë, nuk duhet të ketë tolerim për asnjë kr*iminel dhe asnjë veprimtari kr*iminale

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi sot në Gjilan, ku tre qytetarë humbën jetën nga tre të dyshuar që aktualisht janë në kërkim nga Policia e Kosovës, transmeton KosovaPost.

Ai u shpreh thellësisht i tronditur dhe u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave.

Sveçla kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë, duke thënë se Prokuroria dhe Gjyqësori po i trajtojnë me tolerancë rastet e rënda kriminale.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri”.

Ai tha se i dyshuari kryesor për vrasjen e sotme ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte lënë i lirë.

“Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”.

“Është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë. Nuk duhet të ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale. Qytetarët duhet ta ndjejnë shtetin si garant të sigurisë, jo të frikës”, ka shkruar ai.

The post Sveçla: Është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë, nuk duhet të ketë tolerim për asnjë kr*iminel dhe asnjë veprimtari kr*iminale appeared first on Kosovapost.net.