Sveçla: Emrat e të arrestuarve në lidhje me sulmin s’i kemi publikuar që hetimet të mos dëmtohen

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, gjatë një konference për media tha se emrat e atyre të cilët janë arrestuar në lidhje me sulmin që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Ibër-Lepenc, nuk po publikohen në mënyrë që hetimet të mos dëmtohen.

“Unë nuk po fsheh asgjë, as drejtori i Policisë së Kosovës. Unë vetëm mund ta konfirmoj se hetimet në këtë rast janë intensive, dhe me qëllim që mos të dëmtohet në asnjë mënyrë hetimin ne jemi të rezervuar në ndarjen e informatave të cilat janë të rëndësishme për hetimet”, u shpreh ai.

Ndërkaq, drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kg, ndërkaq tha se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.

Ai tha se janë sekuestruar prova të shumta materiale që mund të ndërlidhen me këto raste apo edhe me raste të tjera që po hetohen nga Policia e Kosovës.

Hoxha bëri të ditur se gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

“Janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore apo zolla, prej të cilave tri janë të përdorur, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për lëndë plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, kartëmonedha në euro dhe dinarë dhe pajisje tjera elektronike. Po ashtu në një rast të ndarë në Zveçan sot, Policia e Kosovës ka gjetur të fshehur sasi të konsiderueshme të armatimit dhe gjësendeve si në vijim: dy armë automatike AK-47, tri revole, një armë e gjuetisë, dy armë rekreative, gjashtë karikatorë të armës K 47, municion të kalibrave të ndryshëm e uniforma ushtarake”, tha Hoxha.