Sveçla dhe homologu lituanez flasin për bashkëpunim në siguri

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Lituanisë, Vladislav Kondratovič dhe një delegacion të lartë të Ministrisë së Brendshme, të cilët po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë, rendit publik, luftimit të krimit të organizuar, migracionit dhe menaxhimit të kufijve, njofton Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri i Brendshëm i Lituanisë, Vladislav Kondratovič, u shpreh i impresionuar me progresin që Kosova ka bërë në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe theksoi gatishmërinë e vendit të tij për të thelluar bashkëpunimin me vendin tonë.

Në anën tjetër, Ministri Sveçla shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Lituania ka dhënë në vazhdimësi për Republikën e Kosovës.

Në njoftim thuhet se të dyja palët u zotuan për vazhdimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të ndërsjella në fushën e sigurisë, forcimin e bashkëpunimit në këtë sektor, si dhe shkëmbimin e përvojave për forcimin e institucioneve të sigurisë.

Në kuadër të këtij takimi, të dy ministrat nënshkruan Protokollin për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Lituanisë për Ri-pranimin e personave pa autorizim.

The post Sveçla dhe homologu lituanez flasin për bashkëpunim në siguri appeared first on Kosovapost.net.