Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar katër policë në Stacionin Policor të Podujevës.
Sipas IPK-së, ata dyshohen për tejkalim të autorizimeve të tyre gjatë përdorimit të forcës, saktësisht keqtrajtim të dy qytetarëve që ndodheshin në ndalim, njëri prej të cilëve i mitur.
“Informacionet e para për këtë rast IPK i kishte pranuar nga Policia e Kosovës ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”, thuhet në njoftim.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në njoftim.










