Gjykata Supreme e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili nuk i njihte diplomat e viteve 90′.
Në një aktgjykim të marrë të mërkurën, Supremja e ka shpallur të paligjshëm Udhëzimin Administrativ Nr.09/2015 të MPMS-së, pasi e ka vlerësuar atë si “arbitrar dhe joproporcional”.
“Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj”, thuhet në një njoftim të Gjykatës.
“Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.”
Supremja ka vlerësuar se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa ndonjë qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, “pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.”
Në njoftim përmendet se një dispozitë e tillë cenon edhe parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, “duke krijuar dallim të pajustifikuar ndërmjet pensionistëve që ndodhen në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional”.
Udhëzimi Administrativ kishte hyrë në fuqi në janar të vitit 2016. /Paparaci.com










