Supremja shfuqizon nenin që parashihte organizimin e ARBK-së

Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin 4 të Rregullores për organizimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve

Gjykata e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë, duke e shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 4 të kësaj rregulloreje.

Sipas Supremes, neni 4 i Rregullores, i cili parashikon strukturën organizative të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve vetëm me Zyrën e Drejtorit Ekzekutiv dhe divizionet, pa parashikuar nivelin e departamenteve, bie në kundërshtim me dispozitat imperative të Ligji Nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, konkretisht me nenet që përcaktojnë modelin e detyrueshëm të organizimit të brendshëm të agjencive ekzekutive.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, kompetencat e Kryeministrit për nxjerrjen e rregulloreve, të parapara me Ligji Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duhet të ushtrohen në përputhje të plotë me dispozitat materiale dhe detyruese të ligjeve në fuqi. Përjashtimi i nivelit të departamenteve nga struktura organizative e një agjencie me mbi 50 punonjës dhe me veprimtari komplekse nuk është në pajtim me modelin ligjor të përcaktuar.

Gjykata vlerësoi se shfuqizimi vetëm i nenit 4 është masë e mjaftueshme për të rivendosur ligjshmërinë dhe për të mbrojtur të drejtat e paditësit, pa qenë e nevojshme shfuqizimi i tërë aktit nënligjor.