Supremja shfuqizoi Udhëzimin Administrativ për arkat fiskale, reagimet e deritanishme

Ditën e martë, Gjykata Supreme të Kosovës, ka marrë vendim për shfuqizimin Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.

Vendimi i Gjykatës është marrë me arsyetimin se ky udhëzim është miratuar nga një qeveri dhe një ministër në detyrë, të cilëve u mungojnë kompetencat për nxjerrjen e akteve nënligjore.

Ky vendim i Supremes nxiti reagime të shumta, ku për këtë reagoi edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Sipas tij, ky vendim nënkupton ndërprerjen e një procesi të rëndësishëm për modernizimin e sistemit tatimor dhe mbetet në favor të një monopoli me kosto të lartë për bizneset.

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon”, thuhet në reagimin e Muratit.

Një reagim për këtë u bë edhe nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit”, vijon reagimi i Qeverisë në detyrë.

Në anën tjetër, vendimi i Supremes u mirëprit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës në reagimin e tyre tha se mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

Po ashtu, nga LDK deklaruan se sot do të dorëzojnë në Prokurorinë Speciale të Kosovës vendimin ë Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale.

“Nesër (e mërkurë), në orën 11:30, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Prokurorinë Speciale, vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme. E dorëzojmë këtë vendim si dëshmi në 17 kallëzimet penale që i kemi ngritur paraprakisht më datën 8 maj 2025”, thuhet në njoftimin e partisë.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës reaguan pas vendimit. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në reagimin e saj tha se Hekuran Murati ka vepruar jashtëligjshëm.

“Gjykata Supreme konfirmoi se ai ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ si ministër, edhe pse mandati i tij kishte përfunduar dhe ai ishte tashmë deputet, një shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës dhe ligjit për Qeverinë, (ligj i sponsorizuar dhe votuar nga Vetëvendosje). Ky akt është i pavlefshëm dhe tregon qartë se në këtë qeveri ligji injorohet për interesa personale. Diktatura nuk kalon”, thuhet ndër tjera në reagim.

Ndryshe, ky vendim i Gjykatës Supreme vjen pasi ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin ishin pezulluar për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.

Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, tha Supremja.

Ajo tha se për të ishte “i pakontestueshëm fakti” se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim./

The post Supremja shfuqizoi Udhëzimin Administrativ për arkat fiskale, reagimet e deritanishme appeared first on Kosovapost.net.