Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar dy ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat ishin paraqitur kundër vendimeve të PZAP-së, lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë ditës së votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në rastin e parë, kolegji gjyqësor e ka hedhur si të palejuar ankesën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 17 tetor 2025, duke konstatuar se për të njëjtën çështje tashmë është vendosur nga kjo gjykatë me aktgjykimin e datës 23 tetor 2025, si dhe se për faktin se ankesa ishte parashtruar pas afatit të përcaktuar ligjor, transmeton Klankosova.tv.
VV kishte kërkuar verifikimin e drejtpërdrejtë të librave origjinalë të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, të ruajtur në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN), të konstatojë se numri i lartë i rasteve të asistimit përbën shkelje të nenit 10 të Rregullores 12/2024 dhe të parimit të fshehtësisë së votës, të konstatojë se PZAP ka shkelur të drejtën për mjet efektiv juridik dhe proces të urdhërojë përsëritjen e votimit aty ku shkeljet janë të verifikueshme dhe ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Në rastin e dytë, kolegji gjyqësor e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Vetëvendosjes, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së të datës 29 tetor 2025.
Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i PZAP-së është marrë në përputhje me ligjin, duke konstatuar se ankesa e paraqitur nga subjekti politik LVV në PZAP, ishte e pasafatshme, pasi nuk ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej 48 orësh, i përcaktuar me nenin 118 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
VV-ja, edhe në këtë rast ishte ankuar për votimin me asistencë, në komunën e Malishevës.
Në të dyja rastet, Gjykata Supreme ka theksuar rëndësinë e respektimit të afateve ligjore dhe procedurave të përcaktuara me ligj, gjatë ushtrimit të mjeteve juridike në proceset zgjedhore, si garanci për zbatimin e drejtë dhe të barabartë të së drejtës zgjedhore për të gjithë pjesëmarrësit.














