Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë dhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, parashtruar nga Paparaci Media Sh.p.k, me të cilën ka kërkuar që të shpallen të paligjshme dhe të shfuqizohen dispozitat e caktuara të Rregullores për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të KPK-së.
Pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor më 3 shkurt dhe vlerësimit të provave të lëndës, Gjykata konstaton se kërkesa për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themel, pasi nuk është provuar mjaftueshëm interesi juridik i paditësit për kontestimin e dispozitave të rregullores.
“Paditësi nuk ka ofruar asnjë provë të tillë dhe aktiviteti i tij në fushën e transmetimit të programeve, botimit të gazetave, portaleve ueb, publikimeve dhe aktiviteteve të tjera mediatike nuk krijon automatikisht këtë legjitimitet, pasi dispozitat ligjore kërkojnë një lidhje të qartë ndërmjet subjektit që paraqet padinë dhe interesit që pretendohet të mbrohet, si dhe një bazë të përcaktuar ligjore ose statutore që e autorizon atë subjekt të veprojë në emër të këtij interesi”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Në aktgjykim thuhet se Gjykata vlerëson se Rregullorja për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës rregullon një procedurë të brendshme institucionale lidhur me përbërjen e një organi kushtetues dhe, për pasojë, “nuk gjeneron efekte juridike individuale ose të drejtpërdrejta ndaj paditësit si subjekt mediatik”.
“Pala paditëse, është një shoqëri tregtare dhe si e tillë, ajo nuk gëzon tiparet e ‘mbajtësit të interesit kolektiv’ apo ‘mbajtësit të interesit të gjerë publik’, të kërkuara sipas nenit 25 par.3 të LKA-së, për ta legjitimuar formalisht atë në gjykim. Në rastin konkret, nuk rezulton që paditësi, të jetë ndodhur në rrethana të tilla që vërtetojnë legjitimitetin për të kundërshtuar pranë kësaj gjykate paligjshmërinë e aktit normativ nënligjor”, thuhet në aktgjykim.
Në këto rrethana, Gjykata ka konstatuar se, edhe pasi është lëshuar në shqyrtim gjyqësor të çështjes, pala paditëse nuk ka provuar interesin juridik dhe si rrjedhojë e njëjta nuk ka legjitimitet aktiv, për shkak se nuk ka dëshmuar ekzistimin e një mandati ligjor ose statutore për përfaqësimin e këtyre interesave.









