Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të shfuqizojë si të paligjshëm Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), që ka të bëjë me përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.
Në vendimin e saj, Gjykata ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, të cilët kishin kontestuar Udhëzimin Administrativ nr.01/2025 “Për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë”, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill 2025.
Sipas aktgjykimit, Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar në tërësi këtë udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave, duke konstatuar se nuk qëndron në bazë juridike dhe se ka qenë në kundërshtim me normat ligjore.
Ndërkaq, është refuzuar kërkesa e paditësve për caktimin e një mase të përkohshme të sigurisë për ndalim të zbatimit të udhëzimit deri në një vendim përfundimtar, me arsyetimin se vendimi meriton shqyrtim të plotë përmes kërkesëpadisë dhe jo përmes masës së përkohshme.