Superkupa e Europës, ja formacionet e mundshme. PSG dhe Tottenham duan ta bëjnë “sefte”

Sot është një ditë e rëndësishme për futbollin europian. Në stadiumin e Udines luhet Superkupa Europiane 2025 mes PSG, fitues i fundit i Champions League, dhe Tottenham, fitues i “Europa League”. Në letër duket qartë favoriti i madh, por shpesh Superkupa e UEFA-s ka rezervuar surpriza të mëdha. Ndeshja mes skuadrave të drejtuara nga Luis Enrique dhe Frank fillon në orën 21:00.

Që nga momenti kur finalja e Superkupës Europiane luhet si një ndeshje e vetme dhe në vende të ndryshueshme çdo vit, kjo është hera e parë që zhvillohet në Itali. Mes kampionëve të Europës kanë pasur eksperienca në Serie A: Luis Enrique, Hakimi, Kvaratskhelia, Fabian Ruiz dhe Marquinhos, ndërsa te “Spurs”, në portë është Guglielmo Vicario, zëvendës i Donnarumma në kombëtaren axurre, që rrezikon të mos luajë nga minuta e parë. Vicario luan në shtëpi, pasi ka lindur pikërisht në Udine.

Sonte do të ketë një fitues të ri të këtij trofeu. PSG-ja nuk e ka fituar kurrë më parë, luajti dhe humbi finalen me Juventusin më 1997. Në “Parc des Princes” u mund 6-1 në ndeshjen e parë. Për Tottenham, kjo është finalja e parë e tillë në histori.

Formacionet e mundshme, PSG-Tottenham
Joao Neves nuk do të jetë i disponueshëm. Portugezi është pezulluar dy ndeshje për incidentet në finalen e Botërorit të Klubeve (SHBA). Te Tottenham mungojnë tre lojtarë shumë të rëndësishëm: Maddison, Kulusevski dhe Dragusin.

PSG (4-3-3): Chevalier; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Mayulu, Vitinha, Fabian Ruiz; Doué, Dembélé, Kvaratskhelia. Trajner: Enrique.
Tottenham (4-3-3): Vicario; Porro, Romero, Van de Ven, Davies; Sarr, Gray, Bentancur; Kudus, Tel, Brennan Johnson. Trajner: Frank.

The post Superkupa e Europës, ja formacionet e mundshme. PSG dhe Tottenham duan ta bëjnë “sefte” appeared first on Telesport.