Futbolli gjithmonë ka bashkëjetuar me pasigurinë, por në epokën e të dhënave ekzistojnë makina që përpiqen t’i paraprijnë fatit. Superkompjuteri i Opta-s ka vënë sërish në punë algoritmet e tij për të zbuluar kush do ta ngrejë Kupën e Botës 2026 dhe verdikti, larg së qeni i zakonshëm, e vendos Spanjën e Luis de la Fuente në majë të botës. Kampionia në fuqi e Europës del si favoritja kryesore me 17% probabilitet, sipas një modeli që analizon mijëra skenarë derisa gjen më të mundshmin.
Pas “La Roja” vjen një e njohur, që nuk dorëzohet, Franca. Finaliste në Katar, kombëtarja e “gjelave” ka 14.1% shanse dhe synon të hyjë në histori. Nëse arrin sërish finalen, Franca do të bëhej kombëtarja e tretë që luan tri finale radhazi, pas Gjermanisë (1982-86-90) dhe Brazilit (1994-98-2002).
“Top 3” plotësohet nga një përfaqësuese me histori të pasur dhe zhgënjim të freskët, Anglia, e cila ka 11.8% gjasa të shpallet kampione bote. Problemi i saj nuk është statistika, por emocioni, sepse nuk ka luajtur një finale që prej vitit 1966. Statistika ua hap derën, por pesha e dekadave i shtyn përjashta “Tre Luanët”.

Argjentina, ekipi që “preku qiellin” më 2022, ka vetëm 8.7% mundësi për ta përsëritur suksesin. Mund të duket pak për një skuadër që ende luan me trashëgiminë e Messit, por një fakt është i rëndësishëm: ajo është kombëtarja jo-europiane me shanset më të larta për titull. Epërsia e Europës në të dhënat e algoritmit nuk është rastësi, kontinenti ynë e dominon futbollin modern.
Për një titull të parë historik, superkompjuteri sheh një pretendente interesante; Portugalinë me 6.6% shanse. Ky është ekipi me përqindjen më të lartë mes atyre që nuk e kanë fituar kurrë një Botëror. Kampionët e “Nations League” 2024/25 ëndërrojnë të thyejnë një barrierë që, sipas statistikave, duket më e arritshme se kurrë.
The post Superkompjuteri zbulon favoritët për fitimin e Botërorit. Brazili i Ancelottit as në ‘top 5’ appeared first on Telesport.











