“Sunny Hill Festival” nis sot në Prishtinë – Dua Lipa hap festivalin me performancë madhështore

Atmosfera elektrizuese e festivalit më të madh në Kosovë, Sunny Hill Festival, nis sot në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku për tri netë me radhë do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të muzikës botërore dhe shqiptare.

Edicioni i sivjetmë hapet fuqishëm nga ylli me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e cila rikthehet në vendlindje për të sjellë për herë të parë në Prishtinë turneun e saj “Radical Optimism”. Kjo natë e parë pritet të jetë e paharrueshme, teksa energjia e saj do të ndezë skenën kryesore të festivalit.

Pas saj, skena alternative C4 do të dominohet nga legjenda britanike e muzikës elektronike, Fatboy Slim, fitues i gjashtë çmimeve “MTV Video Music Awards”. Performanca e tij pritet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit.

Më 2 gusht, për herë të parë në Kosovë do të vijë ylli global i muzikës pop, Shawn Mendes, fitues i “MTV Europe Music Awards”, i cili ka mbushur me qindra mijëra fansa arenat më të mëdha të botës si “O2” në Londër dhe “Madison Square Garden” në New York.

Lista e artistëve që do të performojnë në festivalit “Sunny Hill 2025” (Foto: Sunny Hill)

Po atë natë, në skenën C4, do të performojë DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për stilin funky dhe ekspresiv, që po pushton klubet dhe festivalet më të mëdha të botës.

Nata e tretë dhe e fundit, më 3 gusht, sjell performancën audiovizuale nga Anyma – projekti solo i Matteo Millerit, i cili do të mbyllë skenën kryesore me një udhëtim të paharrueshëm muzikor dhe vizual.

Në skenën C4, festivali përmbyllet me sensacionin global Peggy Gou, DJ dhe producente e hitit viral “(It Goes Like) Nanana”, e cila do të sjellë një prej seteve më të pritura të këtij edicioni.

Në listën e artistëve përfshihen edhe emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si: Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté, Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, TSHA, Mygal B2B Edgar Kerri, të cilët do të sjellin stile të ndryshme si hip-hop, alt-pop, dubstep dhe house në një miks unik festiv.

Muzikës së botës i bashkohen dhe yjet më të spikatur shqiptarë si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina dhe Zwada, duke e bërë “Sunny Hill Festival 2025” një festë të vërtetë të muzikës moderne shqiptare dhe ndërkombëtare.

Festivali pritet të sjellë mijëra vizitorë dhe një atmosferë unike që do të pushtojë Prishtinën për tri netë me radhë.