Sulmuesi nuk pranon të largohet nga Milan, kërkon 2 milionë euro për të prishur kontratën

Milan po përgatitet për një revolucion të vërtetë këtë verë, ku pritet të ketë shumë largime. Sipas raportimeve të mediave italiane, kuqezinjtë do të largojnë plot 12 futbollistë nga sezoni i fundit.

Një nga emrat që gjendet në listën e largimit është edhe ai i sulmuesit Divock Origi. Kontrata e belgut me Milanin skadon qershorin e vitit 2026 dhe sipas raportimeve ai ka kërkuar 2 milionë euro për të prishur kontratën, për t’u larguar këtë verë.

Situata mes palëve është aq e nderlikuar, saqë sulmuesi belg është larguar nga skuadra e parë dhe aktualisht është vendosur tek ekipi i dytë. Drejtuesit e Milanit janë të vendosur në planin e tyre për të larguar sulmuesin, ndërsa ky i fundit po ashtu është i vendosur të respektojë kontratën deri në fund, ose të marrë si dëmshpërblim 2 milionë euro, që të pranojë të prishë kontratën.

Vlen për t’u përmendur fakti që Origi paguhet 4 milionë euro në sezon te Milan, edhe pse minutat e tij në fushë janë me pikatore. Javën që vjen pritet të ketë sërish bisedime mes palëve për të gjetur gjuhën e përbashkët, por për momentin situata mes tyre ështe e nderë.

The post Sulmuesi nuk pranon të largohet nga Milan, kërkon 2 milionë euro për të prishur kontratën appeared first on Telesport.